Nevil Dede për RTSH: Short i pranueshëm për Egnatian, pengu im penalltitë në Champions

Trajneri i Egnatias, Nevil Dede, në një lidhje direkt nga Norvegjia për RTSH Sport, komentoi shortin e sotëm të Conference League, duke e quajtur atë të pranueshëm. Numri 1 i stolit rrogozhinas ka treguar edhe pengjet e rrugëtimit të deritanishëm europian.
“Është e rëndësishme që do të përfaqësojmë Shqipërinë në futbollin europian. Mendoj se shorti është i pranueshëm. Ka më mirë, por ka edhe më keq, kështu që them se është një short i pranueshëm për ne. Qëllimi ynë është që të vazhdojmë të bëjmë mirë dhe të argëtojmë me futbollin që luajmë, siç kemi bërë deri tani. Nuk është se kisha preferenca për shortin.
Pengu im në rrugëtimin europian është humbja me penallti në Champions League. Por edhe dje ndaj Lillestrom nuk u treguam pragmatistë për ta mbyllur ndeshjen me golin e dytë, sepse krijuam shumë raste.
Përforcime? Patjetër që kur bëhet fjalë për të fuqizuar skuadrën është mirë, por mendoj se deri tani e kemi përballuar mirë me kontigjentin që kemi. Të mos harrojmë se kemi pasur edhe dy mungesa, ku Bakajoko për mënyrën si luajmë, është shumë i rëndësishëm për ne”, – tha mes të tjerash trajneri i Egnatias, Nevil Dede.
Ndeshja e radhës për Egnatian është ajo ndaj Vorës në Abissnet Superiore, që do të luhet ditën e hënë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




