Nga sfidë në sukses, ferma e rukolës që u kthye në histori suksesi në Shkodër

Bujqësi | 7 muaj më parë

Para rreth 20 vitesh, vëllezërit Hilmi dhe Shefqet Zeneli në lagjen “Bahçallek” në Shkodër vendosën të investonin në kultivimin e rukolës dhe pomodorinit, pasi mësuan se këto produkte tregtoheshin me çmime të larta. Fillimet nuk ishin aspak të lehta, por me kalimin e viteve situata ndryshoi. Rukola nisi të njihej gjithnjë e më shumë për vlerat e saj ushqyese dhe kërkesa nga marketet dhe restorantet u rrit ndjeshëm.

Kjo i dha një hov pozitiv punës së tyre, duke e kthyer këtë kulturë në një burim të rëndësishëm të ardhurash për familjen Zeneli.

“Kur kemi nisur për të kultivuar, vitet e para një pjesë e madhe e popullit këtu nuk arriti ta njihte rukolën, por pas një kohe kjo u bë në modë dhe pati përhapje masive. Tashmë nuk kemi problem për ta tregtuar sepse e kemi fituar klientelën. Punojmë me gjithë restorantet dhe marketet në Shkodër, Shëngjin, Patok. Gjithashtu eksportojmë edhe në Kosovë dhe Malin e Zi.” – Hilmi Zeneli, fermer

Përveç rukolës, në këtë fermë prodhohen edhe majdanoz, mente, borzilok dhe domate, me farëra kryesisht vendase, por edhe të importuara. Prodhimi tregtohet në disa qytete të vendit dhe vlerësohet si bio, falë përdorimit të plehrave organikë.

Pavarësisht sfidave, prodhimi i tyre mbetet i certifikuar sipas standardeve ligjore dhe të cilësisë, i pajisur edhe me barkod. Historia e kësaj ferme është një shembull i përpjekjeve të fermerëve vendas për t’u përshtatur me tregun, mes sfidave të vazhdueshme dhe mungesës së mbështetjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme