Nga Tapeti i Kuq, te surprizat në ‘backstage’ dhe emrat legjendarë të muzikës, Festivali i Pranverës rikthen emocionet e muzikës shqiptare

Muzika shqiptare rikthen një nga traditat e saj më të dashura. Pas më shumë se dy dekadash mungesë, Festivali i Pranverës rikthehet këtë mbrëmje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Me një format të ri, një skenografi moderne dhe një kast artistësh që bashkon breza të ndryshëm të muzikës, festivali synon të krijojë një urë mes nostalgjisë së dikurshme dhe energjisë së skenës së sotme. Për dy net me radhë, 6 dhe 7 qershor, publiku do të jetë dëshmitar i një gare muzikore ku emocionet, performanca live dhe surprizat do të jenë në qendër të vëmendjes.
Tapeti i Kuq, aty ku nis magjia
Para se artistët të ngjiten në skenë, emocionet do të kalojnë në tapetin e kuq të festivalit, i cili premton të jetë një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes.
Nën moderimin e Migena Krajës dhe Andri Xhahut, publiku do të ndjekë nga afër mbërritjen e artistëve konkurrues, të ftuarve specialë dhe figurave të njohura të artit shqiptar. Intervista ekskluzive, emocionet e minutave të fundit, deklaratat e artistëve dhe surpriza të shumta do ta shndërrojnë tapetin e kuq në një spektakël më vete.
Skena e madhe dhe gara mes 20 artistëve
Në natën e parë, të 20 artistët pjesëmarrës do të prezantojnë këngët e tyre origjinale përpara publikut dhe jurisë.
Çdo performancë do të shoqërohet live nga Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe bendi muzikor, duke i dhënë festivalit dimensionin artistik që e ka karakterizuar ndër vite.
Pas përfundimit të të gjitha interpretimeve, juria profesionale do të përzgjedhë 12 këngët finaliste që do të garojnë në natën finale të 7 qershorit për çmimin e madh të Festivalit të Pranverës.
Në qendër të këtij edicioni qëndron muzika e mirëfilltë shqiptare, e sjellë përmes një formati modern që synon të rikrijojë lidhjen emocionale mes artistit dhe publikut.
Dy prezantues, një skenë plot emocione
Këtë edicion do ta prezantojnë këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj, dy emra të njohur të skenës shqiptare. Pas provave gjenerale, të dy kanë ndarë emocionet dhe përgjegjësinë që mbart drejtimi i një festivali me histori dhe peshë të veçantë në kulturën muzikore shqiptare.
Dyshja premton një atmosferë dinamike dhe plot energji përgjatë dy netëve të festivalit.
Dy juri do të vendosin fituesin
Organizatorët kanë prezantuar dy panelet vlerësuese që do të gjykojnë performancat e artistëve. Fituesi do të përcaktohet nga kombinimi i votave të të dy jurive, sipas formulës: 60% Juria Profesionale dhe 40% Juria Pranvera Digjitale. Një formulë që synon të balancojë ekspertizën artistike me perceptimin bashkëkohor të industrisë së medias dhe komunikimit.
Juria Profesionale
Eriona Rushiti
Ledina Çelo
Kejsi Tola
Kamela Islamaj
Markelian Kapidani
Juria “Pranvera Digjitale”
Sarah Berisha
Amos Zaharia
Krista Merkoçi
Arjon Muça
Rizarta Hoxha
Yjet e muzikës shqiptare rikthehen në skenën e Pranverës
Përveç garës, festivali do të sjellë edhe performanca speciale nga emra që kanë shkruar historinë e muzikës shqiptare.
Në skenë do të ngjiten: Irma Libohova, Bashkim Alibali, Jonida Maliqi, Rovena Dilo, Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa, Frederik Ndoci, Ledina Çelo, Renis Gjoka, Kamela Islamaj dhe Dashnor Diko.
Interpretimet e tyre pritet të krijojnë momente nostalgjie dhe emocionesh të forta për publikun.
Backstage: Emocionet e minutës së fundit
Një hap larg skenës do të jenë gazetari dhe moderatori Andri Xhahu së bashku me Antoneta Koçin, të cilët do të sjellin për publikun atmosferën e backstage-it.
Nga emocionet e artistëve pak sekonda para dhe pas performancës, tek reagimet menjëherë pas interpretimit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë nga afër gjithçka që ndodh prapa perdes së spektaklit.
Backstage premton të jetë një dritare autentike e emocioneve, ankthit, gëzimit dhe pritshmërive që shoqërojnë garën.
Festivali i Pranverës rikthehet jo vetëm si një garë muzikore, por si një projekt që synon të ringjallë një traditë të dashur për publikun shqiptar.
Për dy net me radhë, muzika, emocionet dhe spektakli do të bashkohen në një skenë të vetme, duke shënuar një kapitull të ri për një festival që dikur ishte ndër ngjarjet më të rëndësishme artistike në vend.
Transmetimi do të vijë drejtpërdrejt në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë, Radio Tirana dhe në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




