Dosja “Partizani”, GJKKO shtyn seancën për në 21 korrik, shkak mungesa e Berishës. Malltezi: Rama hodhi 8 firma, klubi u vodh nga vëllai i tij

Është shtyrë për në 21 korrik seanca gjyqësore për dosjen “Partizani” në GJKKO. Shkak për shtyrjen e seancës së parë që do të mbahej sot, është bërë mungesa e ish-kryeministrit, njëherësh kryedemokratit Sali Berisha, pasi sikurse ka bërë me dije prokurori Arben Kraja, Berisha nuk ishte njoftuar zyrtarisht.
Pasi njoftimi i është bërë Malltezit dhe ai ka marrë përsipër të bëj edhe njoftimin ndaj Berishës por argumenton se nuk ka patur kohë mjaftueshëm për ta kryer këtë njoftim.
“Njoftimi duhej të vinte 10 ditë para, por ka ardhur të premten”, tha Malltezi.
Në seancën e sotme janë paraqitur Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës dhe ortaku i tij Xhim Begeja, ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi përfaqësohet vetëm nga mbrojtja për shkak të problemeve shëndetësore. Në seancë nuk është paraqitur as financierja Andia Pustina e cila ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati.
Në një deklaratë për medie pas nisjes së seancës, Malltezi hodhi poshtë akuzat kundrejt tij, për përfitim të të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ai artikuloi një sërë akuzash kundrejt kryeministrit Edi Rama, duke thënë se klubi partizani është vjedhur nga vëllai i tij.
Sipas Malltezit, në seanca gjyqësore duhet të thërritet si dëshmitar edhe kryeministri, pasi sikurse pretendon ai, Rama ka hedhur 8 firma në procedurën e privatizimit të klubit Partizani.
“Do jem në seancë në GJKKO. Rama duhet të jetë. SPAK-u s’guxon ta thërrasë as poër dëshmitarë. SPAK ka shkuar deri në mashtrim dhe e ka bërë pjesë të dokumentacionit zyrtar.
Rama ka 8 firma në këtë procedurë, Berisha asnjë. Partizani është vjedhur nga vëllai i Edi Ramës. Për klubin, është vjedhur, nuk ka letër”, deklaroi Malltezi.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake nga SPAK dhe kalimit të dosjes për gjykim, kjo do të ishte hera e parë kur palët do përballeshin në sallën e gjyqit për të diskutuar në themel akuzat e ngritura.
Berisha është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa dhëndri i tij, ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi”.
“Partizani”- Gjyqtarja Elsa Ulliri dorëhiqet nga shqyrtimi i çëstjes, GJKKO styn seanën më 7 korrik
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë për më 7 korrik seancën për shqyrtimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” në lidhje me dosjen “Partizani”.
Shtyrja erdhi pas vendimit të gjyqtares Elsa Ulliri për t’u dorëhequr nga gjykimi i dosjes “Partizani”. Dorëheqja është paraqitur tek drejtuesi i GJKKO Erion Bani dhe në argumentet e saj thotë se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri.
Elsa Ulliri ishte caktuar gjyqtare relatore ndërsa anëtarë janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



