Nis stërvitja “Përgjigjja nordike 2024” me mbi 20 mijë trupa nga 13 vende të NATO-s

NATO-ja ka nisur të hënën stërvitjen “Përgjigjja nordike 2024” në veri të Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës.
Ushtrimi ka qëllim mbrojtjen e territorit nordik, ndërsa ky rajon po përgatitet që brenda disa ditësh të bëhet plotësisht një territor i NATO-s.
Stërvitja, e para e këtij lloji përfshin më shumë se 20 mijë ushtarë nga 13 vende.
Në të marrin pjesë edhe trupa nga Britania, SHBA-të, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kanadaja.
Stërvitja e përbashkët e mbrojtjes, që njihej më parë si “Përgjigjja e ftohtë”, mbahej çdo dy vjet në Norvegjinë veriore, një anëtare themeluese e NATO-s.
Pas anëtarësimit të Finlandës dhe me Suedinë që pritet t’i bashkohet së shpejti Aleancës Ushtarake, stërvitja këtë vit është quajtur për herë të parë “Përgjigjja nordike”.
Ushtria norvegjeze tha në një deklaratë se kjo stërvitje ka qëllim të forcojë bashkëpunimin me vendeve nordike, por edhe të forcojë aftësinë e Aleancës për të mbrojtur rajonin.
Ajo theksoi se të gjitha vendet përkatëse, përfshirë Rusinë, janë informuar për këtë ushtrim të NATO-s.
Stërvitja ushtarake nga ajri, toka dhe deti zgjat deri më 15 mars dhe do të përfshijë operacione ndërkufitare në Rrethin Arktik.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




