Nisma “Plisi në UNESCO”, Gjedia: Vjen në një moment kur po zhdukej nga përdorimi, po punojmë për të caktuar Ditën e Plisit

Institucioneve përkatëse u është bërë një thirrje, së fundmi, që UNESCO të njohë plisin shqiptar si një artefakt zyrtar kulturor, duke e përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Botërore.
I ftuar në emisionin “Në kohë reale”, Agron Isa Gjedia, studiues dhe themelues i nismës “Plisi i Bardhë”, foli mbi rëndësinë e kësaj nisme. Ai tha se kjo nismë vjen në moment kur plisi po reduktohej dhe po zhdukej nga përdorimi.
Sa i përket shpalljes së një dite zyrtare të plisit, ai u shpreh se mund të caktohet një datë e veçantë, por kjo do të ndodhë në një moment të përshtatshëm, pasi festa të jetë masivizuar edhe më tej.
“Plisi është përdorur masivisht nga të gjithë shqiptarët. Shqiptarët e kanë pasur traditë historikisht, me forma dhe trajta të ndryshme. Erdhi një moment kur plisi po reduktohej dhe po zhdukej nga përdorimi. Në këtë moment e pamë të arsyeshme të ndërhyjmë që të aktualizohet dhe të përdoret, si dhe ne iniciuam mbajtjen e Festës së Plisit, duke nisur për ta shpallur festë kombëtare. Festa e Plisit të Bardhë, e cila mbahet në Dajt, ka mbledhur pjesëmarrës nga të gjitha trevat. Fillimisht e kemi filluar me tre plisa, por më pas erdhi duke u masivizuar. Festa e Plisit të Bardhë nga Dajti është përhapur edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Luginën e Preshevës, duke marrë përmasa në të gjitha trojet etnike shqiptare.
Sa i përket një dite të plisit, festa është ajo e Plisit. Mund të caktohet një datë e veçantë, por në një moment të caktuar, pasi të masivizohet edhe më tej”, tha ai.
A sjell në vëmendje se “Plisi është kombëtar shqiptar, sepse që kur fotografia ka realizuar imazhe, shqiptari shfaqet duke e përdorur masivisht; po ashtu ekzistojnë edhe artefakte që e dëshmojnë këtë”, tha ai.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin, Xhemaledin Salihu, studiues dhe nismëtar i “Plisi” në UNESCO, u shpreh se plisi daton shumë herët dhe ka qenë pjesë e pandashme e identitetit kombëtar shqiptar.
“Plisi daton shumë herët, është mbajtur ndër shekuj, sidomos në Malësinë e Preshevës. Në çdo manifestim kombëtar, ata janë veshur me veshje kombëtare dhe kanë vendosur edhe plisin. Si shoqatë biseduam në vitin 2019 në Preshevë dhe nënshkruam një memorandum bashkëpunimi kulturor për organizimin e manifestimit ‘Dita e Plisit të Bardhë’”, tha Salihu.
Ai theksoi se “kjo ditë ende nuk është vulosur dhe nuk është përcaktuar zyrtarisht se cila datë do të jetë, por përpjekjet për institucionalizimin e saj vijojnë”.
Njohja nga UNESCO e Plisit nuk do të ishte vetëm një medalje ndërkombëtare. Ajo do të nënkuptonte mbrojtjen e teknikës tradicionale të punimit të Plisit, mbështetjen e artizanëve që ende e prodhojnë me dorë dhe ringjalljen e interesit për trashëgiminë kulturore shqiptare. Do të ishte, gjithashtu, një mundësi reale për zhvillimin e turizmit kulturor dhe për ta treguar historinë tonë me zë të lartë, përtej kufijve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




