“Një gotë për Dorin”, mbrëmje e veçantë kushtuar poetit, shkrimtarit dhe publicistit Teodor Keko
Në ambientet e Muzeut Etnografik në Durrës u zhvillua mbrëmja poetike “Një gotë për Dorin”, një aktivitet i organizuar nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, kushtuar poetit, shkrimtarit dhe publicistit Teodor Keko.
Mbrëmja solli në vëmendje krijimtarinë e një prej zërave më të veçantë të letërsisë shqipe, përmes interpretimit skenik të poezive nga aktorë të njohur. Aktori Romir Zalla u shpreh se rikthimi te poezia e Teodor Kekos mbetet gjithmonë një përjetim i veçantë.
“Për mua është një kënaqësi shumë e madhe të t’i rikthehem, si të thuash emocioneve që t’i jep krijimtaria, në këtë rast poezitë e Teodor Kekos”, tha aktori.
Mes emocioneve, bashkëshortja e poetit, Xhuli Keko, e cilësoi këtë aktivitet si mënyrën më të bukur për të përkujtuar Dorin, në prag të 24-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta dhe ditëlindjes së tij më 2 shtator.
“Ndihem shumë e emocionuar. Është përkujtimi më i bukur që mund t’i bëhet Dorit në këtë 24 vjetor të ikjes, sepse këtë muaj është muaj i Dorit dhe në 2 shtator ka edhe ditëlindjen. Është edhe dhurata më e bukur që mund t’i bëja Dorit. Kështu që jam shumë e kënaqur”, u shpreh ajo.
Teodor Keko ishte një nga figurat më të spikatura të letërsisë shqipe të viteve ’80 dhe ’90. I njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë, ironinë e hollë dhe ndjeshmërinë njerëzore, ai la një gjurmë të rëndësishme si poet, prozator, publicist dhe politikan. ai mbetet mbi të gjitha i vlerësuar për krijimtarinë e tij letrare, e cila vazhdon të lexohet dhe të interpretohet edhe sot.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




