Një jetë për muzikën, Robert Radoja: Identiteti muzikor nuk duhet humbur
Gjithnjë afër muzikës, i palodhur dhe pasionant, Robert Radoja është një nga emrat e spikatur të muzikës shqiptare. Pianist dhe pedagog, i duartrokitur përherë nga publiku për krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij artistike, ai mbetet një figurë e respektuar në botën e artit.
Edhe pse është rritur dhe ka zhvilluar karrierën kryesisht në Tiranë, Radoja nuk e fsheh kurrë nostalgjinë për Shkodrën, qytetin ku rrënjët e artit dhe muzikës shqiptare janë të thella.
“Vij me një ndjenjë tjetër kur vij në Shkodër, këtu kam kaluar fëmijërinë dhe udhërrëfimet e mia. Këtu ka filluar me të gjithë ata kompozitorë të rëndësishëm,” shprehet ai.
Kur e pyet për artistët që i kanë lënë mbresa të forta në skenën shqiptare e ndërkombëtare, Radoja përgjigjet pa hezitim.
“Inva Mula ka qenë me të vërtetë një njeri që ka lënë gjurmë në skenat shqiptare por edhe botërore. Ka edhe emra të tjerë, sikurse ajo që ka pushtuar gjithë botën, Ermonela Jaho.”, tha Radoja.
Muzika shqiptare, sipas Radojës, ka pësuar ndryshime të ndjeshme ndër vite.
“Edhe shijet kanë ndryshuar, edhe kohët kërkojnë tjetër gjë. Kështu që, me fol për këngën klasike tonë dhe këngën e sotme ka shumë ndryshim. Do të bëja një kritikë, do të thosha të mbështetemi më shumë në traditën tonë, sesa të shohim tek të tjerët, ndoshta se bëjnë edhe më bukur se ne.”, tha artisti.
Me një karrierë të gjatë kombëtare e ndërkombëtare, Robert Radoja mbetet një nga përfaqësuesit më dinjitozë të muzikës në Shqipëri. Mësimet e tij, jo vetëm si muzikant, por edhe si njeri që e do dhe e kupton artin, janë një thesar për brezat e rinj.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




