“Një verë që nuk mbaron”- Ekspozita e parë e Mario Shemaj. Pikturat sjellin peizazhin veror dhe çaste të përditshmërisë
Në galerinë e Tiranës, artisti i ri, Mario Shemaj çel ekspozitën e tij të parë personale, një udhëtim vizual përmes peizazheve verore, bregdetit dhe çasteve të qeta të përditshmërisë.
Figurat njerëzore qëndrojnë në heshtje, përqafohen, lexojnë gjithnjë me shpinë nga shikuesi, për të ruajtur intimitetin e momentit.
“Karakteristikë e këtyre pikturave janë momente pushimi dhe unë kam dashur që nëpërmjet pushimin ta ngre në piedestal, mos të jetë thjesht një pushim i zakonshëm, por si një moment meditimi”, tha artisti.
Pikturat duken si ëndrra të ndezura nga drita, ku deti dhe qielli shkrihen bashkë. Frymëzimi më i fortë pas këtyre telajove është e dashura e tij, një prani delikate që përshkon veprat e artistit.
“Peizazhi është ajo që preferohet më shumë nga blerësit, sepse rri më mirë në ambiente,” thotë artisti. Por Shemaj nuk e sheh fitimin si qëllim në vetvete.
Në një kohë jo të lehtë për pikturën, ai zgjedh të mbetet besnik ndaj ndjenjës. Një ekspozitë që të fton në një verë që nuk mbaron.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




