Nostalgji për Radio Kukësin, ish-gazetarja Nora Shllaku viziton radion ku nisi karrierën

Aktualitet | 1 vit më parë

Është zëri me të cilin Radio Kukësi niste transmetimet e programeve ditore për dëgjuesit e saj… Është zëri i veçantë i Nora Shllakut, njërës prej gazetareve dhe folëseve në Radio Kukësi…

“Sa emocione kam kaluar këtu. Kur kam dalë për herë të parë në mikrofon më dridhej zemra nga emocionet dhe tekniku që më thoshte: ‘Vazhdo, vazhdo, se je mirë! Vazhdo!’,” kujton ajo.

Sot, pas 28 vitesh, është rikthyer në studion e radios, aty ku nisi karrierën e saj dhe emocionet nuk i fsheh dot para mikrofonit.

“Kjo studio ka qenë magjike dhe një dashuri për mua. Kam kaluar vitet më të bukura me gjithë punonjësit atëkohë. Folës të talentuar, teknikë… të gjithë,” shprehet znj. Shllaku.

Duke vlerësuar kolegët dhe punën e radios ndër vite, periudhën kur ishte pjesë e saj e cilëson si më të bukurën e karrierës profesionale.

Nora, përveçse folëse, mbulonte edhe emisionet për rininë, rubrikën sportive, emisionet për fëmijë etj. “Dritare në Botën e Fëmijëve” ishte njëri prej emisioneve të saj. Sigla e këtij emisioni vijon të transmetohet edhe sot në Radio Kukësi dhe ky fakt i shton emocionet.

“Mbuloja rubrikën sportive, emisionet për rininë, për fëmijët, kërkesat e dëgjuesve për muzikë, që vinin edhe nga Kosova, Prizreni, Zhuri,” tregon folësja.

Nora me familjen e saj jeton prej 28 vitesh në Irlandë, por Kukësi, vendlindja e saj, është zemra dhe shpirti.

Viziton, prek dhe përjeton çdo moment në të gjitha ambientet e radios dhe në momentin e largimit nuk mund të rrijë pa e kthyer kokën pas për të memorizuar këtë moment të veçantë për të.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme