Nota më të mira se vjet! Publikohen rezultatet e Maturës 2025, afro 3 herë më pak “mbetës”
Rezultatet e provimit të gjuhës së huaj për Maturën Shtetërore 2025 janë publikuar pasditen e së enjtes dhe statistikat tregojnë një përmirësim të dukshëm krahasuar me një vit më parë.
Provimin e kanë dhënë gjithsej 25.742 maturantë, ndërsa vetëm 399 prej tyre kanë mbetur – një vit më parë kjo shifër ka rezultuar 952 maturantë.
Kalueshmëria këtë vit përkthehet në 98,45 për qind, më e larta e tri viteve të fundit, ndërsa maturantët ekselentë, që kanë arritur të marrin notën maksimale 10, janë 216 të rinj.
Nota mesatare për provimin e Gjuhës së Huaj këtë vit është 7,8, një tjetër tregues pozitiv për cilësinë e përgjithshme të rezultateve.
Sipas Portalit Studentor, pjesa më e madhe e maturantëve janë vlerësuar me nota nga 9–9,99. Këto vlerësime i kanë marrë 8.073 maturantë. 4.990 maturantë të tjerë janë vlerësuar me notat nga 7–7,99, ndërsa pjesa tjetër, mbi 4.000 maturantë, janë vlerësuar me notat 8–9.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



