Nufi në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile: Monitorim dhe koordinim i pandërprerë i situatës së zjarreve

Aktualitet | 2 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vizitoi sot Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, pjesë e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).

Nga kjo qendër monitorohet në kohë reale situata në të gjithë territorin e vendit dhe koordinohet veprimi i strukturave për menaxhimin e emergjencave civile.Në një video-mesazh, ministri Nufi theksoi rëndësinë e koordinimit të ngushtë mes strukturave lokale dhe atyre qendrore.

“Nga këtu monitorohet, kontrollohet dhe koordinohet i gjithë procesi i menaxhimit të situatës së zjarreve në territorin e Republikës së Shqipërisë, po jo vetëm situatës së zjarreve, por edhe ato të përmbytjeve apo gjithë fatkeqësive të tjera të natyrës që mund të ndodhin në territorin e Republikës.

Për asnjë moment puna nuk pushon 24/7. Njerëzit janë të dedikuar që mund të monitorojnë të gjithë territorin e Republikës, qark për qark, bashki për bashki dhe të evidentojnë ku janë situatat më problematike nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me zjarrfikëset në territor dhe po ashtu me Forcat e Armatosura, me BMEC dhe me gjithë strukturat e tjera, Forcën Tokësore, Forcën Ajrore, ndërhyrjen nga ajri, bëhet e mundur përballimi i gjithë situatës së zjarreve në territorin e Republikës së Shqipërisë”, ka theksuar Nufi.

Ministri vlerësoi angazhimin e lartë të strukturave të emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura gjatë kësaj vere, veçanërisht përballë temperaturave të larta dhe shfaqjes së vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.

“Mirënjohje e veçantë për të gjithë ata, të cilët sivjet janë angazhuar në situatën e zjarreve, dhe kanë përballuar këtë situatë kaq të vështirë, të një vere të nxehtë, një vere problematike, po e cila është menaxhuar dhe kemi parë reagimin e menjëhershëm pranë vatrave të zjarrit të të gjithë forcave qoftë atyre lokale, qoftë atyre të qeverisë qendrore për përballimin e kësaj situate”, theksoi ministri Nufi.

Qendra Operacionale e AKMC vijon monitorimin e situatës 24 orë në 7 ditë, duke mundësuar evidentimin në kohë të problematikave dhe koordinimin e ndërhyrjes së strukturave përgjegjëse, me synim reagimin sa më të shpejtë dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme