Nuk u paraqit në Ministrinë e Jashtme franceze, ambasadori amerikan s’lejohet të kryejë detyrat

Amerikë | 7 muaj më parë

Ambasadori amerikan në Paris Charles Kushner nuk do të lejohet të kryejë detyrat diplomatike derisa të japë shpjegime për refuzimin që i bëri thirrjes për t’u paraqitur në ministrinë e jashtme franceze në lidhje me komentet për vrasjen e një aktivisti të ekstremit të djathtë. Ministri i Jashtëm francez, Jean Nel Barrot u shpreh të martën se Kushner duhet të bisedojë me ministrinë e jashtme në mënyrë që të rifillojë ushtrimin normal të detyrave të tij si ambasador në Francë.

Kushner, babai i dhëndrit të presidentit amerikan Xhared, nuk u paraqit në ministrinë e jashtme franceze ku ishte thirrur pasi ambasada amerikane në Paris shpërndau online komentet e departamentit amerikan të shtetit për rastin e aktivistit të ekstremit të djathtë Quentin Deranque, i cili ndërroi jetë nga lëndime në kokë gjatë përplasjeve mes mbështetësve të së majtës radikale dhe ekstremistëve të djathtë gjatë një proteste që u mbajt më shumë se 10 ditë më parë kundër një politikani të partisë së majtë Franca e Papërkulur. 

Byroja kundër Terrorizmit e Departamentit të shtetit u shpreh më pas se po monitoronte rastin, duke shtuar se radikalizmi i majtë ishte në rritje në Francë dhe se duhej të trajtohej si një kërcënim për sigurinë publike. Ambasada franceze në Paris postoi më pas përkthimin në frëngjisht të këtyre komenteve, çka Parisi iu kundërpërgjigj duke thirrur Kushner në ministrinë e jashtme, por ky i fundit nuk u paraqit dhe në të njëjtën mënyrë veproi edhe vitin e shkuar kur u thirr për një tjetër rast. 

Kushnerit tashmë nuk do t’i lejohet aksesi te ministrat e qeverisë franceze, megjithëse mund të vijojë të komunikojë me zyrtarët e ministrisë së jashtme, derisa të respektojë ato që ministri i jashtëm francez i cilësoi rregullat bazë të sjelljes së diplomatëve të huaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme