Nxënësit e shkollave të mesme protestojnë në Francë, kërkojnë kushte më të mira dhe bllokojnë institucionet arsimore

Europë | 49 minuta më parë

Nxënësit e shkollave të mesme në Francë iu vunë të martën zjarrin koshave të plehrave dhe hodhën sende ndaj forcave të3 zbatimit të ligjit në Francë, ndërsa vazhduan bllokimin e disa shkollave duke kërkuar kushte më të mira në institucionet arsimore por duke zemëruar ndërkohë qeverinë e vendit.

Prej javës se shkuar, nxënësit kanë zhvilluar protesta për një sërë shqetësimesh në lidhje me oraret e mësimit, mbipopullimin e klasave dhe mungesën e mësuesve, si dhe kushtet e papërshtatshme të ventilimit në klasa. Lëvizja nisi në krahinën e Ile de France pranë Parisit, ku ministria e arsimit bëri të martën me dije se ishin bllokuar rreth 10 shkolla, dhe tashmë është përhapur në qytete të tjera të vendit.

Ndër pankartat nëpër protesta pati nga ato ku shkruhej më shumë orë kalojmë në mësim se në gjumë si dhe nga ora tetë e mëngjesit deri në gjashtë të pasdites, a jemi nxënës apo jemi të arrestuar? Përveç djegies së koshave të plehrave, ka pasur edhe raste vandalizimi si dëmtimi i stacioneve të autobusëve apo edhe reklamave, si dhe hedhja e gurëve dhe objekteve të tjera ndaj forcave policore, që këto të fundit i janë përgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës.

Të paktën 164 të rinj u vunë një ditë më parë nën pranga në protestat që kryeministri i vendit Sebastien Lecornu i cilësoi të papërgjegjshme.

Përveç protestave të nxënësve, Parisi dhe qytete të tjera të Francës u përfshinë të martën nga një grevë mbarëkombëtare ku mësuesit, punonjësit e kujdesit shëndetësor, ati të transportit publik , zjarrfikësit por edhe forcat e zbatimit të ligjit kërkojnë që në projektligjin  e financave publike për 2027-ën të përfshihet rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës dhe shtimi i burimeve për shërbimet publike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme