Objektet arsimore në Lushnjë me panele fotovoltaike, synohet zerimi i faturave të energjisë

Ekonomi | 1 vit më parë

Një pjesë e mirë e godinave arsimore në Lushnjë nuk do të paguajnë më fatura të kripura të energjisë elektrike, pasi në to ka nisur instalimi i paneleve fotovoltaikë në bashkëpunim me GIZ.

Në këto godina po instalohen 150 panele fotovoltaike çka do të ndikojë në reduktimin e dioksidit të karbonit, do të krijojë kushte më të mira dhe një ambient më të pastër për rreth 1500 fëmijë dhe nxënës.

“Ne kemi bërë aplikime edhe në thirrje të tjera, shpresojmë që të shpallemi fitues në mënyrë që prodhimin e energjisë elektrike nëpërmjet paneleve ta shtrijmë edhe në shkolla të tjera. Sot Bashkia e Lushnjës ka 43 shkolla, por patjetër edhe në institucionet e tjera shtetërore, pse jo edhe në godinat e bashkisë”, tha kryebashkiakja Eriselda Sefa.

Përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane në Tiranë, e lidhin projektin me objektivat e Partneritetit Rajonal për Klimën midis Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Një strategji vlen aq sa zbatimi i saj. Ajo që inaugurojmë sot është dëshmi se strategjitë për klimën mund dhe duhet të sjellin rezultate konkrete. Duke pajisur katër kopshte, një çerdhe dhe dy shkolla në Lushnje me sisteme diellore, ne sigurojmë një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm për fëmijët ndërkohë që ulim kostot e energjisë dhe përmirësojmë aksesin në kujdes cilësor për nënat dhe familjet.”, tha përfaqësuesja e ambasadës Gjermane në Tiranë.

Çdo qytetar mund të instalojë panele të tilla duke ulur shpenzimet për energjinë elektrike.

Rodon Miraj, këshilltar i GIZ për Shqipërinë shprehet se Shqipëria është e para në Ballkan që ka instaluar më shumë panele diellore.

“Shqipëria është e para për nga zhvillimi i vetëkonsumit të energjisë në godina në përgjithësi. Jemi shteti që kemi instaluar më shumë panele, shteti që ka më shumë biznese që instalojnë dhe shteti që ka më shumë diell në rajon”, tha Miraj.

Ky është një nga dhjetë projektet në shkallë të vogël që po zbatohen në të gjithë Ballkanin Perëndimor, dy prej tyre në Shqipëri, në Lushnjë dhe Roskovec.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme