Ofertat e rreme për kredi, Policia e Shtetit thirrje qytetarëve: Mos bini pre e mashtrimeve online, paraqituni fizikisht në banka

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi. Policia ka informuar qytetarët për evidentimin e disa rasteve kur persona të panjohur përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin ata të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese.
Policia këshillin qytetarët që në asnjë moment të mos dërgojnë para, dokumente personale apo të dhëna bankare në faqe interneti apo persona të paindentifikuar, si dhe të komunikojnë drejtpërdrejtë me personelin bankar.
“Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informon dhe ndërgjegjëson qytetarët në lidhje me raste të mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi.
Janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese.
Këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.
Policia e Shtetit këshillon qytetarët që:
Të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta.
Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin.
Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare.
Qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe apelon për kujdes, verifikim dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




