OKB: Izraeli ka penguar dërgesat e karburantit në Gazë, po rrezikohet të shembet e gjithë infrastruktura

Botë | 1 vit më parë

Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri të ditur se autoritetet izraelite kanë mohuar 29 nga 35 përpjekjet e saj për të dërguar rezervat e karburantit në Rafah që nga 13 prilli, duke paralajmëruar se mungesa e karburantit kërcënon të shembë infrastrukturën kritike në të gjithë Rripin e Gazës.

Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së Farhan Haq paralajmëroi në një konferencë për mediat “mungesa e karburantit të aksesueshëm mund të çojë në mbylljen e shumë objekteve shëndetësore, ujit dhe kanalizimeve”.

“Kjo mund të ndikojë në programet më themelore. Vaksinat, për shembull, kërkojnë karburant për sistemet e zinxhirit të ftohtë”, tha ai, ndërsa ngriti gjithashtu alarmin mbi rrezikun në rritje të humbjes së linjave jetike të komunikimit.

“Megjithatë përpjekjet tona për të hyrë në rezervat e disponueshme të karburantit në Rafah vazhdojnë të refuzohen” tha ai, duke vënë në dukje se Izraeli vetëm të hënën refuzoi 12 nga 24 kërkesat e koordinimit të OKB-së për të kryer operacione humanitare në Gazë.

Këto përfshijnë misione për të transportuar me kamion ujë të pijshëm për popullatat e cenueshme në Gazën veriore, marrjen e ushqimeve kritike dhe furnizimet me karburant dhe riparimin e rrugëve kryesore në jug, tha Haq.

“Ndërmjet 13 prillit dhe të hënën e kaluar, 29 nga 35 përpjekjet u refuzuan nga autoritetet izraelite. Misioni i sotëm në mëngjes u mohua gjithashtu”, vuri në dukje ai.

Ndërkaq, Zyra për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) deklaroi më tej se “e drejta ndërkombëtare humanitare është e qartë: nëse popullsia nuk furnizohet në mënyrë adekuate me gjërat thelbësore për mbijetesën e tyre, Izraeli duhet të pajtohet me ndihmën humanitare dhe ta lehtësojë atë me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme