Operacion antidrogë në Dibër, zbulohen mbi 1 mijë rrënjë kanabis, arrestohen dy persona

Aktualitet | 3 muaj më parë

Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Deja”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë aksionit u zbuluan dhe u asgjësuan 1,121 bimë të dyshuara Cannabis Sativa, ndërsa dy persona u arrestuan në flagrancë.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariateve të Policisë Dibër, Mat dhe Kamëz.

Sipas Policisë, parcela me bimët narkotike u zbulua në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, një pronë publike në territorin e bashkisë Dibër.

Gjatë ndërhyrjes, në flagrancë u arrestuan shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan, bashkia Mat.

Nga kontrolli në parcelë u konstatuan të kultivuara 1,121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan në vend me anë të djegies.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme