Operacion në Rinas, arrestohen 7 shtetas për dokumente false dhe kontrabandë

Policia Kufitare e Rinasit ka goditur 7 raste të paligjshmërisë gjatë kontrolleve të imtësishme në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë.
Në pranga kanë rënë 6 shtetas kinezë dhe një shtetase nga Bjellorusia, ndërsa janë sekuestruar 6 dokumente të falsifikuara dhe një sasi mallrash kontrabandë.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar 6 raste të tentativës për kalim të kufirit me pasaporta të falsifikuara të shtetit të Hong Kongut.
Pas ekzaminimit në laborator, dokumentet rezultuan false dhe si pasojë u arrestuan në flagrancë shtetasit M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe G. H., 43 vjeçe, të gjithë me shtetësi kineze.
Ndërkohë, gjatë kontrolleve në hyrje, shtetasja A. W., 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila udhëtonte nga Treviso drejt Tiranës, u ndalua pasi dyshohej për qëllimin e udhëtimit.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, asaj iu gjetën mallra për qëllime estetike (botox dhe fillera), për të cilat kërkohen kushte të veçanta transporti dhe licencë e posaçme, të cilat nuk i dispononte. Për këtë arsye, ajo u arrestua për veprat penale
“Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




