Opozita i përgjigjet Kurtit për Presidentin, LDK ofron një kandidat, PDK e akuzon për bllokadë dyvjeçare

Propozimi i fundit i Kryeministrit Albin Kurti drejtuar partive opozitare për të gjetur një konsensus mbi zgjedhjen e Presidentit të ri, ka ngjallur reagime të menjëhershme nga dy forcat kryesore të opozitës. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë ofruar qasje të ndryshme ndaj ftesës, ku e para lë të hapur derën e një marrëveshjeje politike për një emër, ndërsa e dyta e akuzon kreun e qeverisë për manipulim dhe teatër politik.
Qëndrimi i LDK-së: Gati për një emër, nuk përjashtohet Vjosa Osmani
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur gatishmërinë e partisë së tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, por ka hedhur poshtë idenë e propozimit të tre emrave, siç kërkoi Kurti. Sipas Abdixhikut, zgjidhja e vetme është një marrëveshje e mirëfilltë politike.
Duke kritikuar metodën e komunikimit të Kryeministrit përmes rrjeteve sociale për një temë kaq serioze, kreu i LDK-së sqaroi edhe realitetin e numrave në Kuvend.
“Me aq sa kuptuam, Kurti po i kërkon 90 vota. LDK nuk mund t’i bëjë aq. Këtë herë ai nuk mundet pa PDK-në”, u shpreh ai, duke shtuar se nëse mazhoranca kërkon vetëm votat e LDK-së (78 vota në total), ata janë të gatshëm të flasin.
Për sa i përket kandidatit, Abdixhiku theksoi: “Jo tre emra, por e japim një. Mundet me qenë edhe Vjosa Osmani. Duhet të vendosë a po do marrëveshje me LDK-në, apo po i do 90 vota.”
Reagimi i PDK-së: Kurti po mban vendin peng
Në një linjë tjetër ka qenë reagimi i Kryetar të PDK-së, Bedri Hamza. Përmes një videoadresimi, ai e cilësoi ftesën e Kurtit si një përpjekje për t’i faturuar opozitës dështimet e qeverisë dhe jo si një reflektim të sinqertë.
“Ajo që pamë nuk ishte reflektim, por vetëm ndryshim i formës së manipulimit”, deklaroi Hamza, duke e akuzuar Kryeministrin se prej dy vitesh po e mban vendin peng të bllokadave politike për shkak të mungesës së vullnetit për kompromis.
Hamza theksoi se PDK ka qenë gjithmonë konstruktive, duke ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe diskutime për figura unifikuese, por këto përpjekje, sipas tij, janë përdorur nga pushteti vetëm për konsum politik. Ai e mbylli reagimin e tij me një mesazh të prerë kundër pazareve politike: “Institucionet nuk mund të përdoren si skenë për beteja narrative. Jemi këtu për zgjidhje, jo për teatër politik. Kosova nuk e ka luksin për zgjedhje e kriza.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




