Opozita protestë te Bashkia e Tiranës, Këshilli Bashkiak zhvillon mbledhjen online

Opozita kishte paralajmëruar një protestë pak para zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, gjë që ka detyruar kryesinë e Këshillit Bashkiak të marrë vendimin që mbledhjen të zhvillohet online.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe këshilltari për Çështjet Ekonomike në ‘Rithemelimin’ e PD-së, Dorian Teliti, i cili ka folur për mediat përpara ambienteve të Bashkisë së Tiranës.
Sipas tij, mbajtja e mbledhjes online nga këshilltarët bashkiakë është e palejueshme, pasi theksoi “fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndal askush”.
“Anulimi i mbledhjes të Këshillit Bashkiak është e palejueshme. Fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndal askush. Veliaj edhe kur nuk ndodhet në zyrë, por në SPAK, jep urdhra që mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës të zhvillohet online. Ky është shembulli më i keq i qeverisjes, kundër interesave të popullit.”, tha Teliti.
Protesta e Rithemelimit dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ishte parashikuar të niste në orën 16:30 pranë Bashkisë së Tiranës. Policia e shtetit u bëri thirrje organizatorëve të ‘Rithemelimit’ dhe ‘Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit’, që të distancohen nga dhuna.
“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune. Cenimi i rendit e sigurisë publike dhe rrezikimi i shëndetit e jetës së punonjësve të policisë dhe pjesëmarrësve në tubim përbëjnë shkelje të ligjit dhe Policia e Shtetit do të veprojë gjithnjë me profesionalizëm”, thuhej në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




