Orkestra Rinore përmbyll turin në Shkodër, koncerti në Teatrin “Migjeni” solli vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë

Kulturë | 3 muaj më parë

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor ka përmbyllur turin e saj artistik në Shkodër me koncertin instrumental “Me dashni nga Shkodra drejt skenave europiane”, të zhvilluar në Teatrin “Migjeni”. Në skenë, muzikantët e rinj interpretuan një repertor me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë, duke sjellë për publikun një mbrëmje të veçantë të muzikës simfonike. Koncerti u drejtua nga dirigjentët Desar Sulejmani dhe Harlen Nikolli.

Pas përfundimit të mbrëmjes, dy dirigjentët shprehën emocionet dhe vlerësimet e tyre për koncertin, muzikantët e rinj dhe pritjen që Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor ka gjetur gjatë qëndrimit në Shkodër.

“Është një emocion gjithmonë i veçantë, është emocion prekës për mua se unë djalë Shkodre dhe gjithmonë e dua 1diçka të veçantë në qytetin tim të lindjes. Kështu që më vjen mirë që arritëm të realizonim një projekt kaq të mirë këtu në Shkodër”, tha Desar Sulejmani, drejtor artistik.

“Këtë vit masiviteti që kishte kjo orkestër, repertori ishte vërtetë një emocion i papërshkrueshëm”, u shpreh dirigjenti Harlen Nikolli.

Koncerti në Teatrin “Migjeni” mbylli disa ditë aktivitetesh të orkestrës në Shkodër, gjatë të cilave u zhvilluan koncerte të muzikës së dhomës dhe një koncert edukues për fëmijë, të rinj dhe familje. Pas Shkodrës, turi artistik i Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor do të vijojë në qytete të tjera të Shqipërisë dhe më pas jashtë vendit, duke çuar interpretimet e muzikantëve të rinj drejt skenave të tjera europiane.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme