Paketa e Maleve, Demo: 40 bashki tashmë kanë shpallur zonat prioritare
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo e ka cilësuar nisjen e dëgjesave të Komisionit të Reformës Territoriale si një hap pozitiv për avancimin e procesit, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve në diskutim.
Sipas Demës, Komisioni është i fokusuar në trajtimin e çështjeve që lidhen me funksionet e bashkive dhe me mënyrën se si ato mund të përmirësojnë performancën në shërbimet ndaj qytetarëve.
“Është një zhvillim pozitiv që ky proces ka nisur, edhe pse do të duhej të kishte filluar më herët. Është e rëndësishme që të gjithë aktorët të japin mendimet e tyre mbi problematikat e hasura në 10 vitet e fundit”, u shpreh ai.
Demo theksoi se qëndrime të ndryshme nga kryetarët e bashkive janë të pritshme gjatë dëgjesave në terren, por nënvizoi se qëllimi kryesor i reformës mbetet forcimi i pushtetit vendor.
“Qeveria qendrore dhe bashkitë mund të kenë mospërputhje, por ajo që duhet të garantojmë është që bashkitë, me kompetencat që kanë apo që u delegohen, të jenë më të forta dhe të ofrojnë shërbime më cilësore”, tha ai.
Paralelisht me dëgjesat, Demo bëri të ditur se vijon procesi i miratimit të zonave prioritare nga bashkitë. Sipas tij, katër bashki të tjera i janë shtuar listës, duke e çuar në 40 numrin total të bashkive që kanë përfunduar këtë fazë.
Ai shtoi se interesi për “Paketën e Maleve” mbetet i lartë, ndërsa pritet që bashki të tjera të vijojnë me miratimet përkatëse në këshillat bashkiakë në vijim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




