Paketa e Maleve, interes i lartë në qarkun e Korçës

Aktualitet | 1 vit më parë

Paketa e Maleve, një iniciativë e qeverisë shqiptare për të nxitur investimet dhe rigjallërimin e jetës ekonomike në zonat malore të vendit, ka ecur me ritme mjaft të mira edhe në qarkun e Korçës. Në shtatë ditët e para të çeljes së kësaj mundësie, interesi i fermerëve për të aplikuar ka qenë i lartë.

Sipas drejtorit të Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Vullnet Gjolla, nëpërmjet kësaj pakete poseduesit jo pronarë do të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të thjeshtuar nga bashkia.

“Ka pasur një interes të lartë dhe mendoj që do të kemi edhe më shumë aplikime”, tha Gjolla.

Dhënia e pronësisë do të kryhet me një çmim simbolik prej 1 euro për ata që kanë një plan zhvillimi dhe e marrin lejen përkatëse. Gjithashtu paketa parashikon përjashtim nga disa taksa për 10 vjet  për 500 aplikuesit e parë.

“Të gjithë ata banorë, fermerë të zonave rurale, apo të gjithë ata që janë në emigrim dhe kanë dëshirën për t’u rikthyer, do ta kenë mundësinë për të aplikuar dhe përfituar nga kreditë e buta për të bërë të mundur që zonat rurale të pësojnë një zhvillim të mëtejshëm për shkak edhe të turizmit”, shtoi Gjolla.

Në përfundim të aplikimeve pranë portalit qeveritar e-albania për paketën e maleve, do të jenë bashkitë ato që do të kryejnë verifikimin e dokumentacionit, ndërsa më pas Ministria e Ekonomisë do të lehtësojë të gjitha procedurat për lejet për të ngritur bujtina apo edhe për dokumentacionin e nevojshëm për sipërfaqet e tokave që posedojnë aplikantët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme