Palmer dhe Lajçak “zbusin” Vuçiç, presidenti serb: Besoj në zgjidhje kompromisi me Kosovën

Rajon | 5 vite më parë

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, zbut tonet ndaj Kosovës. Në këtë drejtim ndikoi “biseda e mirë” që zhvilloi me dy mysafirë të rëndësishëm, zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer dhe të emëruarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Dialogu me Prishtinën do të vazhdojë së shpejti dhe unë besoj në mundësinë e arritjes së një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiç.

Ditëve të kaluara Vuçiç foli për një presion të shtuar të SHBA-së dhe BE-së për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa vendosi parakusht për takimin në Bruksel, duke thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të pranojë diskutimin e asociacionit të komunave serbe ose mos të vijë në takim. Kjo kërkesë iu parashtrua zyrtarëve ndërkombëtarë edhe në takimin që patën me kryeministren serbe, Ana Brnabic.

Lajçak dhe Palmer u takuan edhe me ministrin e jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviç, me të cilin diskutuan për çështjen e dialogut Prishtinë-Beograd. Zyrtari europian e konsideroi të dobishme bisedën, ndërsa diplomati serb kërkoi më shumë presion ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe.

Synimi i kësaj vizite nga Lajçak dhe Palmer në Beograd, që vjen pas asaj në Prishtinë, është përgatitja për takimin e parë të nivelit të lartë midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Data e mundshme përflitet 15 qershori. /A2


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme