Papa Leo XIV nis vizitën katërditore në Francë, mesazhi i tij për paqen dhe sfidat e inteligjencës artificiale

Botë | 20 minuta më parë

Papa Leo XIV ka nisur këtë të premte (25 shtator) një vizitë katërditore në Francë, me një axhendë të ngjeshur që përfshin Parisin, Lourdes dhe Metz. Vizita e parë e një pape në Francë pas 18 vitesh pritet të tërheqë më shumë se një milion njerëz.

Kjo vizitë vjen në një periudhë të shënuar nga konfliktet e armatosura dhe zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale. Në qendër të mesazheve të Papa Leos pritet të jenë thirrjet për paqe, reflektimi mbi të ardhmen e njerëzimit dhe sfidat që teknologjia e re paraqet për shoqërinë.

Fluturimi çarter me të cilin udhëtoi Papa Leo XIV u ul në aeroportin Orly të Parisit, ndërsa kambanat e kishave në të gjithë Francën ranë në pritje të tij.

Papa u prit në aeroport nga Presidenti francez Emmanuel Macron, me të cilin do të zhvillojë takime gjatë qëndrimit në vend.

Gjatë vizitës, Leo XIV do të mbajë një fjalim në selinë e UNESCO-s, ndërsa më pas do të marrë pjesë në një ceremoni në katedralen Notre-Dame, e cila është rihapur pas restaurimit. Një nga momentet kryesore të vizitës do të jetë edhe vigjilja masive me të rinjtë në stadiumin e Parisit, e parashikuar për mbrëmjen e së premtes (25 shtator). Pas Parisit, Papa Leo XIV do të udhëtojë drejt Lourdes, një prej vendeve më të rëndësishme të pelegrinazhit katolik, dhe më pas në Metz, në verilindje të Francës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme