Papa Leoni letër Kryepeshkopit Joan: Faleminderit që morët pjesë në ceremoninë e përurimit, shenjë e vëllazërisë së krishterë

Aktualitet | 1 vit më parë

Papa Leoni i ka dërguar një letër Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, ku e falënderon atë për pjesëmarrjen në ceremoninë e përurimit si Peshkop i Romës, që u mbajt në Vatikan.

Papa Leoni vlerëson praninë e Fortlumturisë së Tij, Joanit, si shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe unitetit të besimit.

“Këto ditë, pas përurimit të shërbesës sime si Peshkop i Romës dhe Pasardhës i Pjetrit, po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, të dielën, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit.

Si një bashkëshërbëtor në vreshtin e Zotit, ju kërkoj me dashamirësi të vazhdoni të më mbështesni përmes lutjeve tuaja, që Perëndia i Plotfuqishëm të më forcojë t’i shërbej atij dhe popullit të tij të shenjtë. Ndërsa dëgjojmë së bashku se çfarë i thotë Shpirti i Shenjtë kishave (Zbulesa 2:7), le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jezu ( Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë. Me këto ndjenja, vëlla i dashur, ju përqafoj ngrohtësisht me gëzimin dhe paqen e Krishtit, Shpëtimtarit tonë”, shkruhet në letrën e dërguar nga Papa Leoni.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme