Papa, pushteti dhe konspiracionet – Flasin tre studiues në “Një Shqipëri”

Botë | 2 vite më parë

Në emisionin “Një Shqipëri” në RTSH me Mentor Nazarkon u diskutua rreth teorive që ekzistojnë mbi zgjedhjen e Papës së ri të Kishës Katolike, pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.

Nest Zefi, studiues i çështjeve fetare, tha se me Papa Françeskun u afirmua një rrymë kulturore-fetare dhe një lloj sensibiliteti, në një farë mënyre.

“Nga viti zero deri në vitin 1960, ka qenë një periudhë jo shumë për t’u mburrur, për Kishën Katolike. Kjo rrymë kulturore-fetare dhe ky sensibilitet, në një farë mënyre, u afirmuan dhe apoteoza e tyre është arritur me Papa Françeskun, i cili ka radikalizuar këto premisa. Unë e quajta me ironi ‘prekoncilat’, sepse jam rritur me atë fe prekoncilare. Liria fetare në Shqipëri është rifituar në vitet ’90”, – tha Nest Zefi.

Frano Kulli, botues dhe studiues, u shpreh se do të dëshironte që të vijonin reformat e nisura nga Papa Françesku.

“Unë do ta anashkaloj konceptin ‘prekoncilar’ të Nestit. Preferoj të shoh se cila do të jetë ecuria e vijimësisë së Papës së ardhshëm, më shumë sesa të merrem me teoritë konspirative. Këto teori ekzistojnë dhe në këtë periudhë do të ketë shumë të tilla. Por, përmes tyre, ne qëndrojmë në sipërfaqen e gjërave. Do të dëshiroja që shumica e reformave që njihen si arritje të Papa Françeskut, të vijonin. Mendoj se, pavarësisht lëkundjeve të herëpashershme të opinioneve, në 12 vitet e Papës Françesku, Kisha ka ecur drejt një kishe të hapur, një kishe në dalje.”

Ndërsa Albatros Rexhaj, shkrimtar dhe studiues, u shpreh se do të dëshironte që të vijonte kursi i moderuar i Papa Françeskut.

“Unë nuk parapëlqej të futem në fushën e teorive konspirative, sepse Vatikani është një institucion me tradita që ndoshta janë më të vjetra se vetë qytetërimi modern europian. Do të doja që të vazhdonte kursi i moderuar i Papa Françeskut. Kisha, si institucion fetar, duhet të japë përgjigje për dilemat që ka brezi i ri. Përshtypja ime është se do të ketë një rikthim, drejt një kursi më konservator.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme