Papa Leoni takon Kurinë Romake, jep mesazhin e dialogut dhe unitetit për anëtarët e organit drejtues të Kishës Katolike

Nisi me shaka, për të qetësuar duartrokitjet që zgjatën disa minuta, audienca e Papa Leoni XIV në Sallën Pali VI me zyrtarët e Kurisë Romake dhe punonjësit e Selisë së Shenjtë. Në takimin e parë me Atin e Shenjtë ishin të pranishëm punonjësit e të gjitha niveleve dhe kategorive të shtetit më të vogël në botë, të shoqëruar edhe nga familjet e tyre. Papa i ri i falënderoi të gjithë ata për punën e tyre. “Papët vijnë e shkojnë, Kuria mbetet”- u shpreh ai duke përsëritur fjalët e para nga Bazilika e Shën Pjetrit kur u zgjodh Papë më 8 maj, ku u bëri thirrje njerëzve të ndërtojnë ura dhe të mirëpresin me krahë hapur, të gjithë ata që kanë nevojë për bamirësinë, praninë, dialogun dhe dashurinë e tyre.
“Nëse të gjithë duhet të bashkëpunojmë në kauzën e madhe të unitetit dhe dashurisë, le të përpiqemi ta bëjmë këtë para së gjithash me sjelljen tonë në situatat e përditshme, duke filluar nga mjedisi i punës. Secili mund të jetë ndërtues uniteti me qëndrimet e tij ndaj kolegëve, duke kapërcyer keqkuptimet e pashmangshme me durim dhe përulësi, duke e vënë veten në vendin e të tjerëve, duke shmangur paragjykimet dhe gjithashtu me një dozë të mirë humori, siç na mësoi Papa Françesku.”
Papa Leoni i 14-të vlerësoi dy aspekte kryesore që karakterizojnë punën e Kurisë, ruajtjen dhe transmetimin e kujtesës historike së një Kishe dhe dimensionin misionar. “Kujtesa, – shpjegoi Papa – është një element thelbësor në një organizëm të gjallë, pasi jo vetëm që drejtohet nga e kaluara, por ushqen të tashmen dhe orienton të ardhmen dhe pa të rruga humbet, ndërsa dimensioni misionar është plotësues i saj”- theksoi Ati i Shenjtë. Në fund të fjalës së tij, Papa zbriti nga skena e Sallës dhe i kushtoi thuajse një gjysmë ore përshëndetjes së të gjithë të pranishmëve.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




