Papunësia, fenomen shqetësues në Delvinë.

Papunësia vazhdon të jetë dukuri shqetësuese në bashkinë e Delvinës. Shkaqet si dhe pasojat e papunësisë, janë sa sociale, aq edhe të komplikuara e po mbeten të pazgjidhura, duke rënduar drejt e tek të rinjtë dhe indirekt në të ardhmen e këtij qyteti.
Gjatë kohës së pandemisë, pati rritje edhe më, të numrit të personave të pa punë në këtë qytet , pasi disa biznese u mbyllën e po ashtu edhe një sipërmarrje e vogël që punësonte disa punonjës. Banorët janë të mendimit , që ky fenomen të nis e të largohet pak e nga pak nga Delvina, duhet të fillojnë të çelen sipërmarrje të reja , si fasoneritë e fabrikat.
“Shumica e banorëve janë të papunë.Të rinjtë janë larguar në mërgim. Ka edhe nga ata që janë zhvendosur nëpër qytete të tjerë, pasi mundësia për të gjetur punë në Delvinë, është e vogël. Fabrika nuk ka më, edhe një që ishte u mbyll! Gratë qëndrojnë në shtëpi, pasi nuk kanë ku të venë”, thotë një qytetar.
“Ajo që do të ndikonte në uljen e papunësisë ,është vetëm hapja e fabrikave. Të gjithë banorët e kanë këtë shqetësim, pasi këtu nuk kanë ku të punojnë dhe detyrohen të largohen”, thotë një tjetër banore.
Instituti i statistikave raporton se, në periudhën janar-mars, papunësia rezulton të jetë në nivelin 11.4% në gjithë vendin duke pësuar një zbritje me 0,2% krahasuar me dhjetorin e vitit 2019.
Numri më i madh i personave që kanë humbur punën, është në sektorin e bujqësisë, ndjekur nga industria dhe shërbimet. Ndërkohë në Delvinë edhe pse me pengesa për shkak të pandemisë, të gjithë organet kompetente, po punojnë për afrimin e investitorëve të huaj, me qëllim çeljen e bizneseve të rinj për punësimin e të rinjve, por jo vetëm.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




