Paqja fiskale, pas 5 qershorit refuzohen aplikimet. Eksperti: Pas afatit, masat për mbledhjen e borxheve do të forcohen. Duhet partneritet real me shtetin

Ekonomi | 6 muaj më parë

“Paqja fiskale”, nisma e administratës tatimore që synon të lehtësojë marrëdhënien mes shtetit dhe biznesit, po konsiderohet si një “restart” për ekonominë shqiptare. Përmes kësaj nisme, bizneseve u jepet mundësia të rregullojnë detyrimet e papaguara dhe të formalizojnë aktivitetin e tyre ekonomik, ndërsa procesi i aplikimit do të jetë i hapur deri më 5 qershor.

Eksperti i ekonomisë, Edvin Prençe, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, deklaroi se bëhet fjalë për një shumë detyrimesh që kalon mbi 2 miliardë euro, borxhe që sipas tij shteti nuk ka arritur t’i mbledhë ndër vite.

“Kjo është në një farë mënyre një restart i ekonomisë. Duke pasur parasysh edhe hapjen e kapitujve me Bashkimin Europian, në një fazë të dytë do të ishte pothuajse e pamundur të bëhej një lëvizje e tillë. Prandaj ky është momenti për ta realizuar”, u shpreh Prençe.

Megjithatë, ai ngriti shqetësimin se bizneset e rregullta, që kanë paguar detyrimet ndër vite, ndihen të pavlerësuara përballë atyre që kanë akumuluar borxhe dhe sot përfitojnë nga lehtësitë fiskale.

Sipas ekspertit, vonesa e Ministrisë së Financave në nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse ka krijuar paqartësi dhe kaos te bizneset, sidomos për ato që ndodhen në procese gjyqësore dhe duhet të heqin dorë nga paditë për të përfituar nga paqja fiskale.

“Ka pasur një presion të paprecedent nga administrata tatimore për mbledhjen e borxheve, ndërkohë që udhëzimet janë vonuar. Nuk mund të menaxhohet ekonomia pa një partneritet real mes biznesit dhe institucioneve”, tha ai.

Prençe sqaroi se afati i 5 qershorit lidhet kryesisht me detyrimet e viteve 2014, ndërsa për kategori të tjera borxhesh afatet zgjasin deri më 31 dhjetor 2026.

Ai paralajmëroi se pas përfundimit të afateve mund të ketë masa më të forta për mbledhjen e detyrimeve, por theksoi se po aq e rëndësishme është edhe informimi korrekt i bizneseve nga institucionet shtetërore.

“Shumë individë dhe biznese nuk marrin përgjigje të qarta në zyrat e informacionit. Kjo i çorienton edhe më shumë në vend që t’i ndihmojë të ndjekin procedurat e duhura”, përfundoi eksperti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme