Paralajmërimi i kryeprokurorit të Palermos: Mafia synon blerjen e dronëve luftarakë nga tregu i zi i luftës në Ukrainë

Kryeprokurori i Palermos, Maurizio de Lucia, ka deklaruar përpara komisionit antimafia të parlamentit se organizatat mafioze po tregojnë një interes të shtuar për sigurimin e armatimeve të sofistikuara ushtarake, përfshirë dronët që përdoren aktualisht në luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Përmes kësaj veprimtarie, sipas prokurorisë, po tentohet krijimi i një strukture të re armatimi me kapacitete të larta goditëse.
“Ne kemi indikacione për blerje të municioneve të lëshuara nga dronë – armë kundër të cilave nuk jemi të përgatitur të mbrohemi. Pra, ka një përpjekje për të rindërtuar një arsenal me cilësi të lartë. Kjo është e vërtetë si në rrethin e Palermos ashtu edhe në zona të tjera.”, tha Maurizio de Lucia, Kryeprokuror i Palermos.
Rrugët e furnizimit dhe origjina e armatimit
Sipas de Lucias, tregu i zi i krijuar nga konflikti në Ukrainë përbën burimin kryesor për këto pajisje të reja, ndërkohë që rrugët tradicionale të trafikimit nga Rajoni i Ballkanit mbeten aktive.
“Ne kemi gjetur armë me origjinë nga Salento (në Puglia), por që në të vërtetë kanë ardhur nga Ballkani – ish-Jugosllavia. Por ne jemi të vetëdijshëm për interesin e Mafias për armë më të sofistikuara. Për shembull, ato që kanë dalë në tregun e zi gjatë luftës Rusi-Ukrainë.”, informoi kryeprokurori i Palermos
Kryeprokurori nënvizoi gjithashtu sfidën e madhe që paraqet ky lloj armatimi për organet e rendit, duke konfirmuar se autoritetet janë aktualisht të papërgatitura për t’u mbrojtur nga teknologji të këtij niveli ushtarak.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




