Parandalohen dy sulme terroriste

Ministria e Brendshme e Francës ka deklaruar se janë parandaluar edhe dy sulme terroriste, në ditët e fundit në Paris. Siguria është një front nën tension për Lojërat Olimpike, kur frikës së sulmeve terroriste i shtohen edhe ngjarjet që mund të ndodhin të dielën pas zgjedhjeve.
Kanë mbetur edhe tre javë deri në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024” dhe rreziku i sulmeve terroriste mbetet shumë i lartë në Francë. Dy sulme të tilla janë bllokuar ditët e fundit dhe i shtohen atyre tre të tjerëve të zbuluar gjatë muajit maj nga forcat e sigurisë, me arrestimin e personave përgjegjës.
Me pak fjalë, siguria është një front nën tension jo vetëm për Parisin por për të gjithë Francën, veçanërisht në një periudhë në të cilën rezultati i zgjedhjeve legjislative të së dielës mund të gjenerojë gjithashtu tensione të mëtejshme nëpër rrugë.
Ndaj mëngjesin e së premtes, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin theksoi veçanërisht rrezikun që lidhet me sulmet e mundshme terroriste gjatë Lojërave. Olimpiada “Paris 2024” është një përgjegjësi e madhe për të gjithë Francën.
Në muajin maj, presidenti francez Emmanuel Macron nënvizoi edhe njëherë për kujdesin e madh në masat e sigurisë, kur njoftoi se në ceremoninë hapëse të kësaj ngjarje të madhe sportive, pritet të marrin pjesë rreth 100 liderë botërorë.
Ceremoni kjo që do të zhvillohet për rreth 4 orë në brigjet e lumit Sen. E në rast të kërcënimit të ndonjë sulmi terrorist, kjo ceremoni do të zhvendoset në Stade de France.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




