Parku i Lurës vijon në flakë prej disa ditësh, 3 vatra të tjera aktive në Himarë, Fier dhe Bulqizë

Parku Kombëtar i Lurës vijon të jetë nën “pushtetin” e flakëve prej disa ditësh tashmë, ku zjarri ka djegur sipërfaqe të konsiderueshme. Në një përditësim mbi situatën e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut të Lurës, dy vatra janë ende aktive, njëra në krahun e Gurë Lurës, dhe zona tjetër afër kanalit të ujit të HEC-it, e cila konsiderohet e izoluar dhe është nën monitorim.
Ndërkohë 3 vatra të tjera zjarri janë ende aktive, nga 24 të regjistruara në 24 orët e fundit. Në Bulqizë, në zonën e “Malit të Peladhisë”, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar. Deri tani janë përfshirë rreth 32 hektarë me shkurre dhe barishte. Zjarri është aktiv vetëm në një vatër mbi fshatin Vlash, që po monitorohet nga forcat operacionale.
Në Fier, në zonën Drenovë–Gorishovë, vatra e zjarrit vijon të jetë aktive, ku për shkak të terrenit të thyer, erës së fortë dhe përhapjes së shpejtë të flakëve, kontrolli i situatës ka qenë i vështirë. Aktualisht zjarri vazhdon me intensitet në zonat me ullishte të fshatit Gorishovë.
Në Himarë, në fshatin Borsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Ndërhyrja vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes, por pa mundur izolimin e plotë të vatrës. Operacioni për shuarjen po vijon edhe sot, me mbështetjen e forcave të Forcave të Armatosura.
Si pasojë e zjarreve janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



