Parku Kombëtar i Vjosës, mbi 21 mijë vizitorë gjatë muajit gusht

Aktualitet | 2 muaj më parë

Parku Kombëtar i Lumit Vjosa po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj. Gjatë këtij sezoni, interesi për të eksploruar një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë ka shënuar rritje të ndjeshme. Vetëm gjatë muajit gusht bukuritë e tij i kanë shijuar 21.230 vizitorë.

“Gjithnjë e më shumë interesi i vizitorëve shtohet dhe gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota janë duke ardhur për ta parë Vjosën. Krahasuar me vitin e vjetshëm deri në muajin gusht ka pasur një rritje diku tek 5% total”, tha Eduina Guga, Drejtoreshë e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.

Mundësitë për të përjetuar parkun janë të shumta. Vizitorët e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa zgjedhin ta eksplorojnë atë përmes një larmi aktivitetesh natyrore e sportive nga sportet e ujit e deri te vëzhgimi i gjallesave apo studimet në terren.

“Ka nga ata që janë të interesuar për aktivitetet ekoturistike siç janë rafting, kajaking, hiking apo aktivitete të tjera, por ka dhe nga ata që janë shumë të interesuar për vëzhgim shpendësh apo për vëzhgim të gjallesave që jetojnë përgjatë parkut”, tha ajo.

Vazhdimisht Zyra e Administrimit Të parkut kombëtar Lumi Vjosa ndërmerr aksione për pastrimin e tij. Gjatë ditës së sotme punonjësit e saj kanë ndërhyrë në zonat Kardhiq e Palokastër ku dhe  njëkohësisht kanë zhvilluar takime ndërgjegjësuese me banorët.

Gazetare: Y. Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme