Pas atentatit, Trump shkon në Konventën e Republikanëve: S’mund të lejojmë një vrasës të ndryshojë gjërat

Donald Trump ka mbërritur në Wisconsin për Konventën Kombëtare Republikane. Konferenca e partisë në Milwaukee po zhvillohet siç ishte planifikuar pavarësisht të shtënave në një tubim në Pensilvani.
Trump postoi në mediat sociale se kishte konsideruar shtyrjen e udhëtimit të tij me dy ditë, por shtoi se “vendosi që nuk mund të lejoj një ‘qitës’, ose vrasës të mundshëm, të detyrojë ndryshimin e orarit ose ndonjë gjë tjetër”.
Sulmi ndaj Trump ka shtuar edhe më shumë sigurinë në Konventën Kombëtare Republikane. Rreth 50,000 njerëz pritet të marrin pjesë në veprimtarinë katër-ditore, ku Trump do të nominohet zyrtarisht si kandidat i partisë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Trump u qëllua nga një 20-vjeçar gjatë tubimit në Pensilvani, ku plumbi e kapi në veshin e djathtë, ndërsa nga të shtënat mbeti i vdekur një person dhe dy të tjerë u plagosën.
Pas ngjarjes Trump dha mesazhe për “bashkimin e vendit dhe unitet duke mos lënë të keqen të triumfojë”.
Edhe Presidenti Bajden, gjatë fjalimit të rrallë nga Zyra Ovale , i bëri thirrje vendit të qëndrojë së bashku dhe të zgjidhë dallimet politike “në mënyrë paqësore” në kutinë e votimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




