Pas Kukësit dhe Beratit, PD-ASHM ankimon në KAS rezultatin për Korçën

Politikë | 1 vit më parë

Pas Kukësit dhe Beratit, Koalicioni PD-ASHM ka ankimuar këtë të martë (27 maj) në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) edhe rezultatin e prodhuar nga zgjedhjet në qarkun e Korçës, qoftë për partitë politike ashtu edhe për kandidatët, pasi pretendon se Partia Socialiste ka manipuluar dhe tjetërsuar votat.

Në ankimin e saj, PD-ASHM akuzon partinë në pushtet se ka përdorur administratën publike dhe strukturat shtetërore në funksion të interesave të saj elektorale, çka sipas koalicionit, ka krijuar jo vetëm mjedis të pabarabartë dhe jotransparent, por edhe diskriminues ndaj opozitës.

Po ashtu, PD-ASHM risjell në vëmendje të KAS edhe denoncimet e depozituara në KQZ mbi përfshirjen e pretenduar të kryebashkiakëkëve apo dhe funksionarë lokalë në procesin e regjistrimit në PER të qytetarëve.

Në zgjedhjet e 11 majit, sipas ankimit të bërë në KAS nga opozita, hidhen akuza mbi përdorimin e Policisë, Policisë së Burgjeve dhe Gjyqësorit në favor të Partisë Socialiste.

“Farsa elektorale që ne duam të denoncojmë është pikërisht kjo: Opozita nuk hyn në garë me një fushatë të lirë dhe të ndershme, por përballet me një kundërshtar që gëzon të gjitha resurset shtetërore apo publike, si dhe mund te angazhoje edhe resurse private pa limit ne dispozicion sa here i nevojitet

Ndërkohë që partia në pushtet ka në dispozicion buxhetin e Shtetit, buxhetet e gati 90% te bashkive ne rang vendi (100% te Bashkive ne Qarkun Korçë), rrjetin e administratës te fryre jashtezakonisht, dhe 2 strukturat policore apo gjyqesore etj., si instrumente trysnie, subjektet opozitare operojnë me fondet e tyre të kufizuara dhe pa akses. Po, ne keto zgjedhje pati perdorim te qarte jo vetem te mjeteve represive te Shtetit ne favor te Partise Shtet, si Policia, Policia e Burgjeve etj, por pati perdorim te qarte edhe te Gjyqesorit”, thuhet në ankimin e koalicion PD-ASHM.

Në një tjetër pikë të anikimit, opozita ndalet edhe te raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, ku qarku Korçë është evidentuar si një prej më problematikëve lidhur me keqpërdorimin e administratës publike dhe presionin mbi punonjësit e sektorit shtetëror.

“Në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, zona e Qarkut Korçë është përmendur në disa raste si një ndër rajonet ku u shfaqën problematika serioze lidhur me keqpërdorimin e administratës publike dhe presionin mbi punonjësit e sektorit shtetëror.

Konkretisht, raporti thekson se në bashkitë Korçë dhe Devoll pati pretendime për presion të ushtruar mbi punonjësit e bashkive që të merrnin pjesë në aktivitete të fushatës së Partisë Socialiste, madje edhe duke kontribuar financiarisht në fushatë. Gjithashtu, u raportuan raste kur punonjësit u detyruan të jepnin informacion mbi familjarët apo të njohurit që jetojnë jashtë shtetit, çka përbën një shqetësim serioz për ndërhyrjen në privatësinë dhe lirinë e votuesve.

Raporti thekson gjithashtu se në disa zona, përfshirë Korçën, pati pretendime për blerje votash dhe përfshirje të strukturave të patronazhistëve në presion ndaj qytetarëve për të mbështetur PS. Këto veprime u raportuan si mjete për të ndikuar në rezultatin zgjedhor në favor të partisë në pushtet, në kundërshtim me parimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto gjetje janë në përputhje me shqetësimet e ngritura nga opozita dhe aktorë të tjerë politikë për shpërdorimin e burimeve shtetërore dhe mungesën e një ndarje të qartë mes partisë dhe shtetit në këtë qark”, thuhet në raport.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme