Pas SHBA-së, edhe Argjentina njeh Urrutian si president të Venezuelës

Botë | 2 vite më parë

Pas SHBA-së, edhe qeveria argjentinase e njohu të premten opozitarin Edmundo Gonzalez Urrutia si president të zgjedhur të Venezuelës, njoftoi ministrja e Jashtme, Diana Mondino në rrjetin social X.

”Ne të gjithë mund të konfirmojmë pa asnjë dyshim se fituesi legjitim dhe presidenti i zgjedhur është Edmundo Gonzalez”, tha Mondino, pas një deklarate të ngjashme nga kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken.

Ky i fundit përmendi “prova të padiskutueshme” të fitores së kandidatit të opozitës, në një deklaratë për shtyp të lëshuar të enjten.

Presidenti socialist venezuelian Nicolas Maduro, në pushtet që nga viti 2013, u rizgjodh për një mandat të tretë pas votimit të së dielës, sipas autoritetit zgjedhor.

Por, opozita denoncon një “mashtrim masiv” dhe u bëri thirrje venezuelianëve të dalin në rrugë.

Në reagim ndaj komenteve të Blinken, Nicolas Maduro i kërkoi Shteteve të Bashkuara të “mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Venezuelës”.

Peruja ishte vendi i parë të martën që njohu Edmundo Gonzalez Urrutia si presidentin “legjitim” të zgjedhur të Venezuelës, duke bërë që Karakasi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Limën.

“Venezuela ka vendosur të ndërpresë marrëdhëniet e saj diplomatike me Republikën e Perusë (…) pas deklaratave të pamatura të ministrit të Punëve të Jashtme peruane që nuk marrin parasysh vullnetin e popullit venezuelian”, deklaroi ministri i Jashtëm venezuelian, Yvan Gil në X.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme