PD ankimon në KAS regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”: Disa kandidatë përdorin logon tonë, krijojnë konfuzion

Partia Demokratike ka ankimuar në KAS vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, mes partive PL, PDK dhe PBDNJ.
Në ankimimin e saj, përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa shprehet se ky koalicion është në kushtet e paligjshmërisë pasi në kërkesë ishte edhe Partia Demokratike e Shqipërisë, pa autorizimin e kryetarit dhe përfaqësuesit ligjor të saj.
“Nuk ka asnjë vullnet të PD-së zyrtare për t’u regjistruar në asnjë koalicion”, thuhet në ankimim.
Edhe pse PD u hoq nga lista e koalicionit nga Celibashi, Sefa shkruan se problem mbetet përdorimi i logos së PD nga disa kandidatë që cilësojnë veten si pjesë e “Komisionit të Rithemelimit”, duke krijuar konfuzion te votuesit.
“Individë të caktuar, që pretendojnë se janë kandidatë të subjektit “Komisioni i Rithemelimit” zhvillojnë takime me emër dhe logo te njëjta me ato të Partisë Demokratike, duke prodhuar një konfuzion për zgjedhësit, që nenin 66 i Kodit Zgjedhor përpiqet ta eliminojë, në mënyrë që zgjedhësi të jetë shumë i qartë në momentin e votimit lidhur me partinë dhe kandidatin që ai dëshiron të votojë”, thuhet në ankimim.
Një tjetër arsye që PD thotë se vendimi për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” duhet rrëzuar është edhe mungesa e përcaktim të numrit të kandidatëve që duhet të propozojë secila parti politike brenda koalicionit, duke përbërë një element paligjshmërie.
“Në media kanë qarkulluar deklarata nga përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, se kandidatët do të vijnë nga radhët e subjektit “Komisioni i Rithemelimit”. Në kushtet kur Komisioneri ka vendosur që të përjashtojë subjektin “Komisioni i Rithemelimit” nga marrëveshja e koalicionit, cili do të jetë subjekti apo partia politike që do të propozojë kandidatët për kryetar bashkie”, thuhet në ankimim.
Për këto arsye thotë PD “kërkesa dhe marrëveshja e depozituar nga Lëvizja Socialiste për Integrim janë në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe aktet nënligjore, dhe si te tilla duhen rrëzuar”, pasi në kushtet kur subjekti “Komisioni Përkohshëm i Rithemelimit” është përjashtuar nga marrëveshja, “mbetet e paqartë se cila parti politike do të propozoje kandidatet e koalicionit”.
Më 18 mars Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka regjistruar si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 14 Majit koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë”, por ka përjashtuar nga ky koalicion PD-në e përfaqësuar nga Sali Berisha. Në koalicion do të jenë Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.
KA PD_date 21.03.2023 by Rtsh Faqe on Scribd
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




