PD kërkon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ‘SkyECC’ dhe ‘EncroChat’

Grupi Parlamentar i PD-së ka propozuar një ndryshim në rregulloren e Kuvendit, ku kërkon që deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo aplikacionet Sky dhe Encro Chat.
Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, PD sqaron se iniciativa ligjore e opozitës vjen pasi në hetimet e kryera nga SPAK në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese evropiane, ka rezultuar se gjuha shqipe është gjuha e dytë më e përdorur në aplikacionet e enkriptuara SKY dhe ENCROCHAT, me rreth 16 mijë përdorues shqiptar.
Gjithashtu në propozimin e Grupit parlamentar demokrat argumentohet se veç këtij rasti tashmë të provuar, nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme.
Në relacionin shoqërues thuhet se ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Në propozim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, jep edhe modelin e formularit të vetëdeklarimit që deputetët duhet të plotësojnë ndërsa theksohet se çdo refuzim apo e dhënë e rremë përbën vepër penal sipas Nenit 190 te Kodit Penal.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




