PD-PS miraton projekt-rezolutën për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kalon për diskutim në Kuvend

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme miratoi një projekt-rezolutë që përcakton angazhimet e parlamentit për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit. Dokumenti rithekson se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik kombëtar, që udhëheq reformën demokratike, institucionale, ekonomike dhe sociale të vendit.
Projekt-rezoluta nënvizon rëndësinë e rolit kushtetues të Kuvendit në mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës. Sipas dokumentit, parlamenti angazhohet të forcojë funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës, të garantojë zbatimin e legjislacionit sipas standardeve të BE-së dhe të përshpejtojë reformat kyçe në fushat e drejtësisë, administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kuvendi kërkon gjithashtu mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese, nxitjen e dialogut politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave themelore, si dhe forcimin e partneriteteve ndërparlamentare me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së.
Projekt-rezoluta adreson gjithashtu angazhime konkrete ndaj Këshillit të Ministrave, duke kërkuar harmonizimin e legjislacionit me acquis të BE-së, përshpejtimin e reformave në shtetin e së drejtës, mbështetjen e pushtetit vendor, përmirësimin e administratës publike dhe përdorimin efektiv të fondeve evropiane.
Dokumenti thekson se përparimi në procesin e anëtarësimit do të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe rezultateve të verifikueshme, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Mazhoranca dhe opozita angazhohen për pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare, duke garantuar dialog politik dhe konsensus mbi prioritetet evropiane. Projekt-rezoluta u miratua më 14 maj 2026, duke shënuar një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




