Pelegrinazhi i Haxhit, më shumë se 1000 pelegrinë humbin jetën nga temperaturat përvëluese

Ka shkuar në më shumë se 1 mijë numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave përvëluese gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Mekë të Arabisë Saudite. Agjencia franceze e lajmeve, AFP, raportoi sipas deklaratave zyrtare apo dhe diplomatëve nga 10 vende të ndryshme të botës, se 1081 pelegrinë humbën jetën këtë vit në qytetin më të shenjtë për myslimanët.
Qendra meteorologjike saudite raportoi se në fillim të kësaj jave, temperaturat shkuan në 51.8 gradë celsius në hije në xhaminë e madhe të Mekës. Çdo vit atje shkojnë miliona pelegrinë, dhe shumë prej tyre përdorin kanale të parregullta pasi shpeshherë nuk mund të përballojnë lejet e kushtueshme zyrtare për të shkuar atje.
Në fillim të këtij muaji autoritetet saudite raportuan se kishin larguar qindra mijëra pelegrinë të paregjistruar nga Meka, por gjithsesi shumë prej tyre arritën të merrnin pjesë në ritualet kryesore të Haxhit që filluan të premten e shkuar.
Ky grup pelegrinësh është edhe më i rrezikuari nga i nxehti, sepse pa leje zyrtare, nuk mund të kenë akses në hapësirat me ajër të kondicionuar të siguruara nga autoritetet saudite për 1.8 milionë pelegrinët e autorizuar. Vetë autoritetet nuk kanë dhënë informacion për numrin e viktimave, por raportuan se rreth 2700 persona kishin marrë trajtim mjekësor për problem me të nxehtin.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




