“Për 3 gratë e jetës sime”/ Julian Lekoçaj rrëfen nismën për “8 Mars”: Dorë për dore me vajzën, në solidaritet me gratë që luftojnë në heshtje

Sociale | 8 muaj më parë

​Ajo zgjohet herët. Ajo punon, kujdeset, lufton dhe ëndërron. Por këtë 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ajo ka një tjetër mision: Ajo vrapon.

​Nën moton “Ajo vrapon”, Parku i Liqenit Artificial në Tiranë do të shndërrohet në një arenë solidariteti më 8 mars. Ky nuk është thjesht një aktivitet sportiv, por një event komunitar që bashkon gra, vajza dhe mbështetës të kauzës për të festuar fuqinë, vendosmërinë dhe barazinë gjinore.

​Ideatori dhe organizatori i këtij eventi, kantautori Julian Lekoçaj, në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, ka zbuluar zanafillën e këtij projekti që e prek edhe personalisht. “Patëm këtë ide për të krijuar një event i cili do t’u kushtohet grave, për t’i mbështetur ato në problematikat që kanë dhe në vuajtjet që përballojnë. Të themi të vërtetën, gratë janë më të forta se burrat”, u shpreh Lekoçaj. ​

​Por nga e mori frymëzimin kjo nismë? Ai theksoi se projekti lindi si reagim ndaj realitetit social. “Nisi nga problematikat që ne hasim çdo ditë në rrjetet sociale dhe në jetën e përditshme. Menduam që 8 marsi do të ishte data perfekte për një organizim të tillë”. Për organizatorët “Ajo Vrapon” është më shumë se një garë, është një deklaratë force.

Për Julianin, ky event është i veçantë jo vetëm si organizator, por edhe si prind e bashkëshort. “Jam i përfshirë shpirtërisht sepse mbështes tre gra në familjen time. Do të mbaj banderola për to, do të eci dorë për dore me vajzën time. Ia dedikoj mamasë dhe gruas sime”.

​Aktiviteti nuk do të mbyllet vetëm me vrapin 5-kilometërsh. Në fund të marshimit, atmosfera do të gjallërohet me muzikë nga DJ dhe do të shpërndahen certifikata mirënjohjeje për pjesëmarrësit.

​​Përtej 8 Marsit, Julian Lekoçaj ka plane ambicioze për sportin dhe artin. Më 21 qershor, Pogradeci do të mirëpresë Triathlonin e parë, një bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Triathlonit dhe Bashkinë e qytetit. “Gara ndahet në tre disiplina: not, biçikletë, vrap. Brenda këtyre disiplinave kemi kategorinë sprint dhe olimpik. Pogradeci është qyteti që i ofron kushtet më të përshtatshme për një garë Triathloni. Cirkuiti i biçikletës shkon nga rruga drejt Linit, ndërsa rruga e vrapit shkon drejt Drilonit për ta mbyllur në sheshin Odeon”.

Lekoçaj tregon se kësaj ngjarjeje sportive do t’i bashkohen kampionë e atletë jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Greqia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Italia, Sllovenia e Mali i Zi.

​Ndërkohë, në planin artistik, kantautori po përgatit dy këngë të reja: një dedikuar dashurisë dhe një tjetër në stilin alternative-hiphop, “dedikuar atyre që janë larguar nga Shqipëria, të cilët merren akoma me fatin që kanë lënë pas ndërkohë që jetojnë në një tjetër realitet”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme