Përgatitjet e fundit të Festivalit të Pranverës, surpriza dhe emra të njohur të muzikës. Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH: Do jetë një spektakël i kuruar në çdo detaj

Kulturë | 3 muaj më parë

Kanë mbetur vetëm tre ditë nga nisja e Festivalit të Pranverës në RTSH. Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, stafi organizativ po punon me ritme intensive për të kuruar çdo detaj dhe për të finalizuar përgatitjet për netët magjike të 6 dhe 7 qershorit.

Rikthimi i Festivalit të Pranverës ka ngjallur interes të madh te publiku. Vetëm pak ditë pas publikimit të këngëve konkurruese në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube, ato kanë grumbulluar mijëra klikime dhe reagime pozitive nga adhuruesit e muzikës shqiptare.

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, e cila po ndjek nga afër çdo element të organizimit, shprehet se gjithçka është gati për t’i rikthyer publikut magjinë e muzikës së lehtë shqiptare.

Sipas saj, ky kompeticion i rëndësishëm do të sjellë surpriza të shumta, ndërsa në skenën e festivalit do të ngjiten jo vetëm artistët pjesëmarrës, por edhe emra legjendarë të muzikës shqiptare, të cilët kanë shkruar historinë e festivaleve në RTSH.

“Emocionet sa vijnë e bëhen më intensive për të gjithë ne, për stafin që është marrë ngushtësisht me ndërtimin hap pas hapi të gjithë këtij projekti të madh televiziv, që është një projekt televiziv i cili i takon të ardhmes pasi shpresoj që kjo ky projekt televiziv të mos ndalojë. Pra, ne ta kemi gjithmonë një Festival të Pranverës, nisur dhe nga fakti që është pritur me shumë entuziazëm nga të gjitha moshat, nga të rinjtë, nga ata që janë nostalgjikë e tjerë e tjerë.

Ky festival do ketë shumë surpriza. Surprizat e para janë emrat e “big-ve” të muzikës që do të këndojnë. Sigurisht ky është një festivali i të rinjve, të cilët konkurrojnë, por ndërkohë në mënyrë të veçantë këtë vit do të performojnë artistët më të mirë në emër të nostalgjisë dhe rikthimit të këtij festivali. Irma Libohova, Rovena Dilo, Aleksandër Gjoka, Jonida Maliqi dhe një listë e gjatë se nuk i përmend dot të gjithë, por mund t’i gjeni emrat e tyre në rrjetet sociale të RTSH-së duke kënduar këngët që ata kanë fituar apo prezantuar në festivalet e mëparshme të pranverës.

Pra ky përpos një gare të mirëfilltë kënge që patjetër do të jetë është edhe një spektakël muzikor i jashtëzakonshëm me kontribute të jashtëzakonshme, i cili do të mbajë ngërthyer në sallë edhe në televizion publikun e gjerë. Jam e bindur për këtë. E shikoj këtë entuziazëm edhe në mënyrën se si është pritur gjatë këtyre kohëve. E shikoj në mënyrën se si po shiten biletat, si kërkohen ftesat e të gjitha këto. Jam shumë e kënaqur. Ju mund të shikoni edhe punimet intensive të skenografisë, të montimit të skenografisë. Jemi në orët e fundit. Shumë shpejt do kemi mundësi t’i ndezim edhe ë të shikojmë rezultatin sipas projekteve që kemi. Edhe skenografia është bashkëkohore, moderne, është e kohës, është kontekstuale me pranverën, me çdo gjë edhe shpresoj që do të pritet mirë”, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili.

Ndërkohë, skenografia po merr jetë nën kujdesin e skenografit Albi Çifligu, i cili po punon në detaje për çdo element vizual, me qëllim që performancat e artistëve gjatë dy netëve të festivalit të paraqiten sa më dinjitoze dhe artistikisht të kuruara.

Festivali i Pranverës do të zhvillohet më 6 dhe 7 qershor dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1. Ky festival shënon një rikthim të rëndësishëm në traditën dhe vlerat e Radio Televizionit Shqiptar, duke synuar të rizgjojë emocionin, afërsinë dhe lidhjen e veçantë mes publikut dhe medias publike, një marrëdhënie që ka shoqëruar ndër vite historinë e muzikës shqiptare.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme