Përplasen dy trena të shpejtësisë së lartë në Spanjë, të paktën 10 viktima

Një aksident hekurudhor është regjistruar mëngjesin e së mërkurës në Spanjë, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur.
Si pasojë, të paktën 10 persona kanë humbur jetën, teksa dyshohet se numri i viktimave mund të rritet. Po ashtu, raportohet edhe për persona të plagosur, por numri i saktë mbetet ende i paqartë. Autoritetet kanë pezulluar qarkullimin në linjën Madrid-Andaluzia.
Aksidenti ndodhi midis dy trenave të shpejtësisë së lartë që shkonin në të njëjtin drejtim, ku njëri u përplas me pjesën e fundit të tjetrit, duke nxjerr dy nga vagonët e tij nga shinat.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka reaguar, duke thënë se është “i tronditur nga aksidenti i rëndë hekurudhor në Toledo”.
“Unë mbetem në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin e Transportit dhe me presidentin e Castilla-La Mancha. Shërbimet e emergjencës po punojnë në terren për të ndihmuar të prekurit. Shpreh ngushëllime dhe solidaritet për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre.” tha Sanchez në X “.
Në janar, 45 persona vdiqën në Spanjën jugore kur një tren doli nga shinat dhe goditi një tren që po vinte përballë. Aksidenti ishte më vdekjeprurësi në Spanjë që nga një aksident i vitit 2013 që vrau 80 persona.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




