Përralla vazhdon, Sarbryken në gjysmëfinalen e Kupës

Borusia Sarbryken godet sërish! Skuadra e Bundesligës 3 është kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë pas fitores 2-1 kundër Borussia Mënshengladbah të martën në mbrëmje, me një gola të shënuar në sekondat e fundit. Skuadra e drejtuar nga Rydiger Cil është shndërruar në vrasëse të mëdhenjsh, pasi ka eliminuar me radhë Bajern Mynih, Eintraht Frankfurt e së fundi Mënshengladbah. Kjo e fundit kaloi në epërsi në takimin e mbrëmshëm, që në minutën e tetë, pas një kundërsulmi të shpejtë të mbyllur nga Robin Hak. Ashtu si në ndeshjet e mëparshme, vendasit nuk e humbën toruan dhe barazuan pas vetëm tri minutash, me një gol të bukur nga Amine Naifi. Borussia ushtroi presion në pjesën e dytë dhe kërkoi vazhdimisht fitoren, por Sarbryken u mbrojt mirë dhe, ashtu si kundër Bajernit, goditi me një kundërsulm në sekondat e fundit, duke shënuar golin e suksesit me Kai Brykner. Është hera e pestë që Sarbryken del në gjysmëfinale të Kupës dhe tani do të kërkojë finalen përballë Kaizerslauternit të ligës së dytë, më 2 prill, sërish në shtëpi. Gjysmëfinalja tjetër do të jetë midis Fortuna Dyseldorf dhe Bajer Leverkusen. Kjo e fundit është e vetmja skuadër e ligës së parë midis gjysmëfinalisteve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




