Përshkallëzohet konflikti në Lindjen e Mesme. Izraeli zgjeron sulmet ndaj Iranit, raketat iraniane godasin Tel-Avivin

Vijojnë sulmet nga Izraeli dhe Irani, ndërsa konflikti mes dy vendeve është përshkallëzuar. Ushtria izraelite lëshoi një valë të re sulmesh raketore drejt Iranit Perëndimor, ndërsa po ashtu janë kryer sulme të gjera në Teheran dhe instalimet ushtarake iraniane në Shiraz.
Forcat ajrore izraelite bombarduan gjithashtu një avionin iranian me karburant në aeroportin Mashhad në verilindje të Iranit, rreth 2,300 kilometra nga Izraeli. “Forcat Ajrore po punojnë për të arritur epërsinë ajrore në të gjithë Iranin,” tha ushtria izraelite në një deklaratë. Sulmi në aeroportin Mashhad është ndoshta sulmi më i largët nga Forcat Ajrore Izraelite.
Të paktën 14 shkencëtarë bërthamorë thuhet se janë vrarë në sulmet izraelite që nga e premtja. Deri më tani, Teherani ka konfirmuar 128 të vdekur, ndërsa 900 të tjerë janë plagosur.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Irani do të paguajë një “çmim shumë të rëndë” për vdekjen e civilëve izraelitë, pasi të paktën 14 persona u vranë nga sulmet iraniane dhe 380 të tjerë janë plagosur.
Përgjigja e Iranit me një sulm në Tel Aviv
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan se raketa balistike u lëshuan nga territori i vendit për të goditur objektivat në Izrael. Sirenat ranë në të gjithë Izraelin verior ndërsa kishte një breshëri sulmesh me raketa balistike iraniane.
Irani tha se përgjigjet ndaj sulmeve izraelite do të jenë “më vendimtare dhe drastike”.
Vetoja e Trump për ekzekutimin e Udhëheqësit Suprem të Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump thuhet se ka hedhur poshtë një plan të fundit izraelit për të vrarë udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei. Teksa i referohet tre zyrtarëve amerikanë, BBC shkruan se izraelitët patën mundësinë të vrasin Khamenei, por Trump i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se nuk ishte një “ide e mirë”. Sipas tyre, biseda midis Netanyahu dhe Trump ndodhi pasi Izraeli nisi një sulm masiv ndaj Iranit javën e kaluar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




