Pesë të arrestuar pranë një baze ajrore britanike, dyshohen për terrorizëm

Botë | 1 orë më parë

Policia britanike ka arrestuar pesë persona pranë një baze ajrore në Angli, nën dyshimin për terrorizëm dhe vepra penale të lidhura me eksplozivë.

Arrestimet u kryen një ditë më parë (27 shtator), pas informacioneve të marra nga banorët e zonës pak pas mesnatës. Njësitë e ushtrisë për çaktivizimi  e bombave mbërritën në vendngjarje, ndërsa dhjetëra banesa pranë zonës u evakuuan si masë paraprake. Sipas policisë kundër terrorizmit, pesë të dyshuarit janë arrestuar edhe me dyshimin se po përgatitnin një akt terrorist. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi një motiv të mundshëm.

“Jemi në fazat e hershme të një hetimi dhe pesë burra mbeten në paraburgim”, deklaroi Vicki Evans, oficere e lartë e Policimit Kundër Terrorizmit.

Baza ajrore përdoret nga forcat amerikane dhe është e lidhur me operacionet e bombarduesve me rreze të gjatë veprimi. Presidenti amerikan Donald Trump i përshkroi arrestimet si “fantastike” dhe tha se autoritetet amerikane dhe britanike i kishin të dyshuarit nën vëzhgim prej një kohe të gjatë.

Megjithatë, media britanike, përfshirë BBC, The Guardian dhe The Telegraph, raportuan duke cituar burime se operacioni nuk ishte rezultat i një informacioni të inteligjencës. Sipas këtyre raportimeve, sinjalizimet nga banorët vendas mund të kenë ndihmuar në njoftimin e autoriteteve.

Ambasada amerikane në Londër u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Mbretërinë e Bashkuar të tregojnë kujdes dhe të jenë të vëmendshëm ndaj sigurisë personale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme