Pezullohen dy efektivë policie në Dibër, dyshohen për shpërdorim detyre

Aktualitet | 7 muaj më parë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës–Dibër) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar masa sigurie personale ndaj dy punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Masat e vendosura janë “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, sipas neneve 242 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale.

Të dy efektivët, me iniciale D. S., shërbenin përkatësisht në Trupën e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban, si dhe në Trupën e Shërbimit të Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Vendimi vjen në kuadër të një procedimi penal të vitit 2026, që lidhet me ngjarjen e ndodhur më 10 mars 2026 në qytetin e Bulqizës, ku mbetën të plagosur rëndë tre shtetas. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se punonjësit e policisë nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre funksionale në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme