FOTOT- Plagosje me armë zjarri në Sarandë, dy persona dërgohen drejt Traumës për shkak të plagëve të rënda

Kronikë | 1 vit më parë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e së enjtes në qytetin e Sarandës, ku dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4, pranë stadiumit të qytetit, në rrethana ende të paqarta.

Të plagosurit janë identifikuar si Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç, dhe Ernest Lama, 24 vjeç. Pas ndihmës së parë mjekësore të marrë në spitalin e Sarandës, të dy të rinjtë pritet të transferohen me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar, për shkak të plagëve të marra.

Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policore kanë mbërritur në vendngjarje, duke rrethuar zonën për të siguruar perimetrin dhe për të mbledhur prova. Një grup hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, ka nisur punën intensive për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e saktë të ngjarjes, si dhe për të identifikuar dhe kapur autorët.

Deri më tani, motivet e këtij akti dhune mbeten të paqarta, ndërsa Policia e Sarandës ka konfirmuar zyrtarisht plagosjen e dy shtetasve, duke bërë thirrje për bashkëpunimin e qytetarëve nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë hetimet. Hetimi është në vazhdim e sipër për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme